Transcript for:
Zbulesa e Gjonit: Një Vështrim mbi Libërin

Libri i Zbulesës së Jezusit. Autori i këtij libri, i cili në fakt nuk quhet Zbulesa, përmendet qysh në fillim. U shkrua nga Gjoni, që mund t'i referohet 'dishepullit të dashur', që shkroi ungjillin dhe letrat e Gjonit, ose mund të jetë një Gjon tjetër - një profet jude mesianik, i cili udhëtoi dhe mësoi në kishën e hershme. Cilido Gjon qoftë, ai e bën të qartë në paragrafin hapës se ҫfarë lloj libri ka shkruar. Ai para së gjithash e quan zbulesë, apo apokalips. Fjala greke është Apokalypsis dhe i referohet një lloj literature shumë të njohur për lexuesit e Gjonit, nga shkrimet hebraike dhe nga tekste të tjera të njohura hebraike. Apokalipsi rrëfeu ëndrrat dhe vizionet simbolike të profetit, që e zbuluan perspektivën qiellore të Perëndisë mbi historinë dhe ngjarjet aktuale, në mënyrë që e tashmja të mund të shihej në dritën e rezultatit përfundimtar të historisë. Dhe Gjoni thotë se ky apokalips është një profeci, që nënkupton se është një fjalë nga Perëndia, përmes profetit, drejtuar popullit të Perëndisë, zakonisht për t'i paralajmëruar, ose ngushëlluar në kohë krizash. Duke e quajtur këtë libër profetik, Gjoni po thotë se qëndron në traditën e profetëve biblikë dhe po e sjell mesazhin e tyre në një pikë kulmore. Dhe kjo profeci apokaliptike iu dërgua njerëzve të vërtetë, që Gjoni i njihte. Libri hapet dhe mbyllet si letër qarkore, që i ishte dërguar shtatë kishave në provincën e lashtë romake të Azisë. Numri shtatë është kuptimplotë për Gjonin. Është simbol i plotësisë bazuar në ciklin e së Shtunës shtatë-ditëshe në Dhjatën e Vjetër. Dhe Gjoni e ka përfshirë këtë numër (7) në secilën pjesë të këtij libri. Me këtë hapje, Gjoni na ka dhënë udhëzim të qartë sesi ai kërkon që ne ta kuptojmë këtë libër. Apokalipsi judaik komunikohet përmes shëmbëlltyrave dhe numrave simbolikë. Nuk është një kod sekret parashikues për kohën e fundit të botës. Përkundrazi, Gjoni i përdor vazhdimisht këto simbole, që huazohen nga Dhjata e Vjetër. Ai pret që lexuesit e tij t'i zbulojnë se ҫfarë nënkuptojnë simbolet, duke hulumtuar tekstin, të cilin ai e përmend tërthorazi. Gjithashtu, fakti që kjo është një letër, nënkupton se Gjoni po trajton situatën e këtyre kishave të shekullit të parë. Dhe ndërsa ky libër ka shumë për t'ju thënë të krishterëve të brezave të mëvonshëm, kuptimi i librit, së pari duhet të mbështetet në kontekstin historik të kohës, vendit dhe audiencës së Gjonit, që na sjell në pjesën e parë të librit: mesazhit të Jezusit drejtuar shtatë kishave. Gjoni ishte i mërguar në ishullin Patmos dhe ai pa një vegim të Jezusit të ringjallur dhe të ngritur si mbreti i botës. Dhe Ai po qëndronte në mes shtatë shandanëve të ndezur dhe Gjonit i thuhet se ky është simbol i shtatë kishave në Azinë e Vogël, që është përshtatur nga libri i profetit Zakaria. Dhe Jezusi fillon duke trajtuar probleme specifike, me të cilat përballet secila kishë. Disa ishin apatikë për shkak të pasurisë dhe bollëkut. Të tjerët ishin moralisht të komprometuar. Njerëzit ende hanin ushqime të flijuara idhujve dhe flinin bashkë pa qenë të martuar, në tempujt paganë. Por të tjerë midis këtyre kishave i qëndruan besnikë Jezusit. Dhe ata po përjetonin ngacmime, madje edhe përndjekje të dhunshme. Dhe Jezusi i paralajmëron se gjërat do të përkeqësohen. Një mundim do të vijë mbi kishën, që do t'i detyrojë të zgjedhin ndërmjet kompromisit dhe besnikërisë. Në ditët e Gjonit, vrasja e të krishterëve nga perandori romak Nero kishte mbaruar dhe me shumë gjasa përndjekja e të krishterëve nga Perandori Domitian kishte filluar. Kështu, tundimi ishte që ta mohonin Jezusin, për t'iu shmangur përndjekjes, ose thjesht për t'iu bashkuar frymës së epokës romake. Dhe Jezusi i thërret ata për besnikëri, në mënyrë që të mund ta kalojnë këtë dhe të dalin fitimtarë. Dhe Jezusi iu premton shpërblim të gjithë atyre në këto kisha, që dalin fitimtarë. Secili nga shpërblimet është nxjerrë drejtpërdrejt nga vegimi përfundimtar i librit për martesën e qiellit dhe tokës. Kështu që, kjo pjesë hapëse përgatit skenën e parë të tensionit, që do të drejtojë tregimin në këtë libër. A do të durojnë njerëzit e Jezusit? A do ta trashëgojnë botën e re, që Perëndia e ka ruajtur për ta? Dhe përse përshkruhet besnikëria ndaj Jezusit si fitimtarë? Pjesa tjetër e librit është përgjigja e Gjonit. Pas kësaj, Gjoni sheh një vizion të fronit të Perëndisë dhe ai e përshkruan me shëmbëlltyra të marra nga shumë profetë të Dhjatës së Vjetër. Përreth Perëndisë janë krijesa dhe pleq, që përfaqësojnë tërë krijimin dhe kombet njerëzore. Dhe ata po e nderojnë dhe po tregojnë besnikëri për Krijuesin e vetëm të Vërtetë, i cili është i shenjtë, i shenjtë i shenjtë. Në dorën e Perëndisë është një rrotull e mbyllur me shtatë vula dylli. Kjo simbolizon mesazhin e profetëve të Dhjatës së Vjetër dhe rrotullën e vulosur të vegimit të Danielit. Të gjitha këto kanë të bëjnë me atë sesi mbretëria e Perëndisë do të vijë plotësisht këtu në tokë, siҫ është në qiell. Por rezulton se askush nuk është në gjendje ta hapë rrotullën, derisa Gjoni dëgjon se dikush mundet. Është luani nga fisi i Judës dhe rrënja e Davidit, ai që mund ta hapë. Këto janë përshkrime klasike të Dhjatës së Vjetër të Mbretit Mesianik, i cili do ta sillte mbretërinë e Perëndisë përmes pushtimit ushtarak. Kjo është ajo që dëgjon Gjoni, por kur kthehet, ai nuk sheh një luan agresiv, por një qengj të përgjakur sakrifice, i cili është gjallë dhe po qëndron aty gati për ta hapur rrotullën. Simboli i Jezusit si qengj i therur, është tejet i rëndësishëm për të kuptuar librin. Gjoni po thotë se premtimi i Dhjatës së Vjetër për mbretërinë e ardhshme fitimtare të Perëndisë u inaugurua përmes Mesisë së kryqëzuar. Jezusi i mposhti armiqtë e Tij, duke vdekur për ta, si qengji i vërtetë i Pashkës, në mënyrë që ata të mund të shpengoheshin. Për shkak të Ringjalljes, vdekja e Jezusit në kryq nuk ishte nje humbje. Ishte kurorëzimi i tij, ishte mënyra sesi ai e mposhti të keqen. Kështu që, ky vizion përfundon me qengjin përbri Atij, që është ulur në fron dhe bashkërisht ata adhurohen, ndërsa Krijuesi dhe Shpenguesi i vetëm i vërtetë dhe qengji i therur fillon ta hapë rrotullën. Është simbol i autoritetit të Tij hyjnor për ta drejtuar historinë në përfundim të saj, që na sjell në pjesën tjetër të librit: tre cikle shtatash (7): shtatë vula, shtatë bori dhe shtatë kupa. Secili cikël përshkruan mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, duke ardhur këtu mbi tokë, siҫ është në qiell. Disa njerëz mendojnë se tri seritë e shtatë gjykimeve hyjnore përfaqësojnë një rend të njëpasnjëshëm linear të ngjarjeve, që ndodhën në të kaluarën, ose që mund të ndodhin tani, ose që kanë për të ndodhur në të ardhmen, kur të kthehet Jezusi. Por vëreni sesi Gjoni i ka thurur bashkë të gjitha shtatat, kështu që, shtatë kupat e fundit dalin nga shtatë boritë dhe vula e shtatë dhe shtatë boritë dalin nga vula e shtatë. Janë si kub brenda kubit - secila seri e shtatës përmban serinë tjetër të shtatës. Gjithashtu, vëreni sesi secila nga seritë e shtatës kulmon në gjykimin përfundimtar dhe përfundimet e tyre përputhen. Kështu që, ka më shumë gjasa që Gjoni po e përdor secilën seri të shtatës për të pasqyruar të njëjtën periudhë kohore, ndërmjet ringjalljes së Jezusit dhe kthimit të ardhshëm nga tri këndvështrime të ndryshme. Kështu, qengji i therur fillon t'i hapë katër vulat e para të rrotullës dhe Gjoni sheh katër kalorës. Është një figurë nga libri i Zakarias, kapitulli një. Ata simbolizojnë kohë lufte, pushtimi, zi buke dhe vdekje. Me fjalë të tjera, një ditë e zakonshme tragjike në historinë njerëzore. Pastaj, vula e pestë shfaq dëshmorët e krishterë të vrarë, para fronit të Perëndisë. Dhe klithma e gjakut të tyre të pafajshëm ngrihet para Perëndisë, si tym nga altari i temjanit. Dhe atyre iu thuhet që të pushojnë, sepse edhe të krishterë të tjerë do të vdesin. Nuk na jepet arsyeja përse, por na thuhet se nuk do të zgjasë përgjithmonë. Vula e gjashtë është përgjigja përfundimtare e klithmës së tyre. Ai sjellë ditën e madhe të Zotit, që përshkruhet tek Isaia dhe Joeli. Dhe njerëzit e tokës klithin "Kush mund të qëndrojë?!” Dhe pastaj, papritmas Gjoni e ndërpret veprimin, në mënyrë që t'i përgjigjet asaj pyetjeje. Gjoni sheh një engjëll me një unazë vulosjeje, që vjen për të vendosur një shenjë mbrojtjeje mbi shërbëtorët e Perëndisë, që po durojnë gjithë këtë vështirësi dhe dëgjon numrin e atyre që janë vulosur - 144 000. Është një regjistrim ushtarak i popullsisë, si ai tek Libri i Numrave, kapitulli një. Janë dymbëdhjetë mijë nga secili prej dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Kushtojini vëmendje! Numri i kësaj ushtrie është ajo çfarë Gjoni dëgjoi. Ashtu sikurse dëgjoi për luanin pushtues të Judës. Por në të dy rastet, ajo që pa kur u kthye ishte përmbushja befasuese e atyre figurave ushtarake në Jezusin - qengji i therur. Kështu që, kur ai kthehet, sheh se kjo ushtri mesianike e mbretërisë së Perëndisë, përbëhet nga njerëz prej të gjitha kombeve, që përmbushin premtimin e lashtë të Perëndisë bërë Abrahamit. Është kjo ushtri shumëkombëshe e Qengjit, e cila mund të qëndrojë para Perëndisë, sepse janë shpenguar me anë të gjakut të qengjit. Dhe tani, ata quhen fitimtarë, jo duke i vrarë armiqtë e tyre, por duke vuajtur dhe duke dëshmuar, ashtu sikurse qengji. Pas kësaj, vula e shtatë dhe e fundit thyhet, por para se të hapet rrotulla, paraqiten shtatë bori paralajmëruese dhe merret zjarr nga altari i temjanit. Simbolizon klithmën e martirëve dhe hidhet mbi tokë, duke sjellë plotësimin e ditës së Zotit. Me shtatë vulat, Gjoni e mbështet dhe e ritregon historinë sërish, këtë herë me figura nga historia e Eksodit. Kështu, së pari rënia e pesë borive i rishfaq plagët e dërguara mbi Egjiptin dhe pastaj boria e gjashtë i liron katër kalorës, që erdhën nga katër vulat e para. Por pastaj, Gjoni na thotë se pavarësisht të gjitha këtyre plagëve, kombet nuk u penduan, ashtu sikurse nuk u pendua Faraoni në historinë e Eksodit. Kështu që, duket se vetëm gjykimi i Perëndisë nuk mund t'i sjellë njerëzit në pendim të përulur para tij. Gjoni pastaj e ndalon veprimin sërish me një ndërhyrje tjetër. Një engjëll sjell një rrotull të pavulosur, që u hap nga qengji. Dhe ashtu sikurse Ezekieli, Gjonit i thuhet që ta hajë rrotullën dhe pastaj t'ja shpallë mesazhin kombeve. Më në fund rrotulla e qengjit hapet dhe tani do ta zbulojmë sesi do të vijë mbretëria e Perëndisë këtu në tokë. Përmbajtja e rrotullës shqiptohet me dy vegime simbolike. Së pari, Gjoni e sheh tempullin e Perëndisë dhe dëshmorët pranë altarit; atij i thuhet që të bëjë matje dhe t'i ndajë ata mënjanë. Paraqitet një figurë mbrojtëse, e marrë nga Zakaria, kapitulli 2. Por, pastaj oborret e jashtme në qytet përjashtohen dhe ato shkelen nga kombet. Disa mendojnë se kjo vërtet i referohet një shkatërrimi të Jeruzalemit, që ndodhi në të kalurën, ose që do të ndodhë në të ardhmen. Por, me shumë gjasa, Gjoni po ndjek traditën e Jezusit dhe apostujve, të cilët, që të gjithë e përdorin tempullin e ri, si simbol për popullin e ri të besëlidhjes së Perëndisë. Në atë rast, kjo është një figurë, që ilustron sesi ndjekësit e Jezusit mund të përjetojnë përndjekje nga kombet, por mposhtja e tyre e jashtme nuk mund ta heqë fitoren e tyre përmes qengjit. Kjo ide zgjerohet në vegimin e dytë të rrotullës. Perëndia i cakton dy dëshmitarë si përfaqësues të kombeve. Edhe njëherë, disa njerëz mendojnë se kjo vërtet i referohet dy profetëve, që do të shfaqen një ditë, në të ardhmen. Por Gjoni i quan ata shandanë, që është një nga simbolet e tij të qarta për kishat. Kështu që, ky vizion ka më shumë gjasa që të jetë për rolin profetik të ndjekësve të Jezusit, të cilët duhet ta veshin mantelin e Moisiut dhe Elias dhe t'i thërrasin kombet idhujtare dhe sunduesit, që të kthehen tek Perëndia i vetëm i vërtetë. Por pastaj papritmas shfaqet një bishë e tmerrshme. Kujtoni Danielin kapitulli 7. Dhe bisha i mposht dëshmitarët dhe i vret. Por pastaj Perëndia i kthen ata në jetë dhe i shfajëson dëshmitarët para përndjekësve të tyre. Rezultati përfundimtar është se shumë njerëz nga kombet më në fund pendohen dhe i japin lavdi Krijuesit Perëndi, në ditën e Zotit. Tani, ndaloni. Mendoni për historinë deri tani. Gjykimet paralajmëruese të Perëndisë përmes vulave dhe përmes borive nuk nxitën pendim midis kombeve, ashtu si plagët e Eksodit vetëm sa e ngurtësuan zemrën e Faraonit. Por qengji, Ai i mposhti armiqtë e tij duke i dashur, duke vdekur për ta. Dhe tani mesazhi i rrotullës së qengjit e zbulon misionin e ushtrisë së tij, kishës. Mbretëria e Perëndisë do të zbulohet kur kombet të shohin kishën, duke imituar sakrificën e dashurisë së Qengjit, duke mos i vrarë armiqtë e tyre, por duke vdekur për ta. Mëshira e Perëndisë, e treguar përmes ndjekësve të Jezusit ka për t'i sjellë kombet në pendim. Dhe kjo deklaratë befasuese është mesazhi i rrotullës së hapur, që Gjoni e ka vendosur pikërisht në qendër të të gjithë librit. Pas kësaj bie boria e fundit dhe kombet dridhen, ndërsa mbretëria e Perëndisë vjen këtu në tokë, siҫ është në qiell. Kështu, tani e dimë mënyrën sesi kisha do t'u dëshmojë kombeve dhe do ta trashëgojë krijimin e ri. Por, kush ishte ajo bishë e tmerrshme, që i shpalli luftë popullit të Perëndisë? Dhe si do të zhvillohet e gjithë historia? Gjoni do të na e tregojë në gjysmën e dytë të Librit të Zbulesës. Na kontaktoni: projektibibles@gmail.com